Unë nuk po ta them emrin, por po prezantohem me eksperiencat e mia deri më tani. Si eksperienca deri më tani unë kam pasur disa trauma fëmijërie si të gjitha ato të zakonshmet, më pas humba sepse nuk dija çfarë tëbëja në jetën time dhe nuk mendoja se zgjedhja e një dege universiteti do ta zgjidhte këtë gjë, megjithatë e zgjodha dhe e mbarova një dreq universiteti sa për të thënë që ‘jam i shkolluar’, më pas kam hasur vështirësi të përshtatem në punë 9-5 për shkak të një lloj egoje mendore-shpirtërore ku gjatë saj e mbaja veten për të zgjuar mendërisht dhe shpirtërisht. Kjo më futi në disa gropa siç janë depresioni, ankthi, stresi, frika, distancimi, shkëputja prej identitetit, krizat e ekzistencës apo lufta e përditshme për të mos u tunduar prej anës sime të errët.
Të gjitha këto nuk krahasohen fare me përjetimin që kam pasur kur kuptova që këto nuk ekzistojnë praktikisht por do të shkojmë aty pak më vonë te libri. Për momentin mund t’ju them që nëse ti je kuptimi, atëherë ti i ke dhënë kuptim depresionit, ankthit apo frikës. Ti po ua jep ose, po ta formuloj ndryshe që të të zgjojë pak më shumë, ato po marrin prej teje. Pse? Sepse prej teje fillon dhe mbaron gjithçka! Këtë e kuptova vonë por kur e kuptova arrita të bëja ndryshimin e vërtetë dhe prej këtij ndryshimi nis dhe jeta e thjeshtë. Ah sa komplikim duhet të kalojë jeta për të thjeshtësuar gjithçka.